Thethi: Bukuria e heshtur e alpeve të Evropës

Të pakët janë ata që nuk e kanë parë ose s’kanë dëgjuar për Thethin, për këtë perlë të veçantë të Alpeve tona madhështore.

Thethi, një gropë e thellë ovale 700 m mbi nivelin e detit, ngjason si amfiteatër natyror gjigand me një truall qilimartë lëndinash livadhore, plot bar të njomë, lule shumëngjyrëshe me aromë dehëse , burime ujore të kristalta, ara të sistemuara me kujdes, shtëpi me çati konike të vendosura në të dy anët e lumit që kalon mes përmes vendit. Bimësia e aheve dhe pishave dekorohen natyrshëm me masivin shkëmbor karbonik duke na dhuruar një mozaik natyral, nga më të spikaturit që ka krijuar natyra në vendin tonë. Thethi rrethohet nga një kordon majash të bronxta nga 2000-2500 m. Malet në Thethit janë pozicionuar si vagon të mbuluara me borë, me plot monopate të mrekullueshme, prej të cilave gurgullojnë furishëm burimet më sterile natyrore që detyrohen nga format depresive të relievit të përthyhen në ujëvare e katarakte befasuese. Ajri i freskët, shkëlqimi rrezatues i diellit, apo veriu i vrullshëm, bora dhe orteqet e rrëmbyer të stinës së dimrit i japin këtij mikromjedisi natyrorë pasaportën e një vendi të mrekullueshëm për zhvillimin e turizmit malor në dy stinët ekstreme të vitit.

 

Investimet në Theth

Nga viti në vit Thethi turistik po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Pavarësisht disa mangësive, mrekullitë natyrore të kësaj perle vetëm gjatë muajit korrik ka tërhequr mbi njëmijë vizitorë, vendas dhe të huaj, pjesa më e madhe e pushuesve janë disa ditor.Shumica e të huajve që kanë vizituar këtë oaz kanë qenë nga vendet perëndimore, kryesisht nga Gjermania, Austria, Italia etj. Thethi tashmë afron turizëm alpin. Mundësia për të thithur të ardhura ka bërë që banorët vendas të rikthehen dhe të investojnë atje. Të larguar prej vitesh jashtë vendit apo edhe në zona të tjera, thethjanët janë rikthyer në “Itakën” e tyre. Shtëpitë e braktisura gjer dje, tashmë masivisht janë rikonstruktuar ose ndodhen në proces e sipër. Në funksion e vet janë rikthyer ndërtesat e kampit të dikurshëm. Ndër këto 10 ndërtesa të tjera janë përshtatur në hotele, me të gjitha kushtet akomoduese për pushuesit. Çmimet e favorshme, ushqimet bio, mikpritja tradicionale origjinaliteti dhe pa dyshim natyra mese joshëse kanë thithur gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Kështu një dhomë për një natë kushton mesatarisht 20 euro.

Thethi park kombtar:

Thethit i përkasin objekte e fenomene unikale natyrore, si Cirku i Jezerces, një liqen tipik akullnajor alpin, Ujëvara e Grunasit, më e bukura dhe më madhështorja e vendit tonë, një kanion sa origjinal aq tërheqës, me gjurmë e dukuri karstike e glaciale. Burimet vokloziane të Okolit, burime që nxjerrin2,5-3m kub në sekond duke vënë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj Bira e Rrathve, shpella e majës së Arapit, rreth 120 metra, me dukuri tipike glaciale ku brenda shpellës varr ndodhen tre liqene të vegjël, pisha flamur e Qafës së Pejës. Në teritorine Thethit janë të evidentuara 170 shpella dhe gjysmë shpella, nga të cilat 10 janë të kategorisë ndërkombtare. Pushuesit në Theth mund të ushtrojnë notin, peshkimin, sportet e kanosë, sporte të ajrit,shëtitjet, ture çiklistike aq të preferuar nga të huajt, gjithashtu Thethi është një oaz i mrekullueshëm edhe për ngjitjet alpinistike, ushtrimin e sportit të skive, ecjet dhe reshqitjet mbi borë gjatë stinës së dimrit. Këtu që në vitin 1937 është ngritur ndërtesa e parë për sportet malore, ndërsa , 18 korrik të vitit 1956 zhvillohet veprimtaria e parë zyrtare e alpinizmit shqiptar.

Oazi alipin i Thethit është karakteristik për llojshmërinë natyrës së tij: Pyjet, kullotat alpine edhe nën alpine janë mushkëria e gjelbër e këtij visari të blerë, ku ndërthuren shpatet e thepisura dhe luginat e thella. Shkalla e lartë e shumëllojshmërisë bimore kushtëzohet nga karakteristikat e klimës mesdhetare malore. Edhe fauna e Thethit është shumë e pasur këtu kanë gjete prehje një numër i madh gjallesash ku pa dyshim shquhet mbreti i pullit alpin, ariu i murrmë, ujku dhelpra, rrëqebulli, kaprolli, macja e egër. Lart në çatinë e maleve të kuaternarit jeton “hirushja” e maleve dhia e eger, ndersa në ekstremin tjetër poshtë në ujrave të lumit të Thetit dhe të Shalës, jeton trofa pikaloshe pa dyshim një nga speciet më të mira që natyra i ka berë dhuratë këtij vendi.

Atraksionet kulturore

Thethi shquhet për atraksionet kulturore historike që fillojnë me veshjet tradicionale, shtëpitë karakteristike.

Shquhet Kisha e Thethit, me një stil të krejt të veçantë për të vazhduar më tej me objekte të tillë si Kalaja e Shtegut të Dhenve, vendbanimi i lashtë arkeologjik i periudhës së Bronxit, i zbuluar kohet e fundit. Interesante është shtëpia e pa shoqe 300 vjeçare e familjes Boshi e nderur sipër një shkembi e cila bënë pjesë në stilin e banesave të fortifikuara. Në këtë banse ka qënë muzeu etnografik i zonës, fatkeqësisht i shkatërruar dhe i dalë jashtë funksionit nga tranzicioni i mbrapshtë. Në fokusin e vizitorëve të huaj është edhe kulla e ngujimit etj.

Thethi është pra një dhuratë e përkryer e natyrës e quajtur nga Nopça “Bukuria e alpeve të Europës”. Si vendin më i përshtatshëm për zhvillim turizmi nder bjeshkët e Shqipërisë së veriut e kanë konsideruar në studimet e tyre alpinistike Dr.Georg Heisheimer, Dr Ofman, Prof Henrik Schatz

Ndërsa Edith Durham pat shkruar : “Kur pashë Thethin, harrova gjithë pjesën tjetër të botës”.

Turizmi në Theth zë fill që vitin 1887 kur studentet e kolegjit françeskanet veruan në mënyrë të organizuar atje. Në vitet 30-të të shekulli XX, krijohet një shoqëri që propagandonte bukuritë e kësaj zone. Në vitin 1966 çelet zyrtarisht shtëpia e pushimit në qendër të fshatit Theth, ndërkohë në vitin 1965 ndërtohet qendra turistike, aty ku është edhe sot. Deri fund të viteve ’80 në Kampin Veror të Thethit kapaciteti sezonal veror ishte mesatarisht deri në 600 -700 në verë dhe afërsisht 300 në dimër. Pas trazirave pati një braktisje drastike, ndërsa pesë vitet e fundit ka nisë një gjallërim i shpejtë turizmit familjar, vitin e kaluar ka pasur mbi 4000 pushues, kryesisht të huaj. Në vitin 1996 me vendim të Këshillit të Ministrave Thethi është shpallur Park Kombtar.

Problemet

Gjatë gjithë fushatave elektorale secila parti që ka pretenduar pushtetin kanë premtuar se Thethi do të bëhej “Zvicra e Ballkanit”. Ndërsa realiteti është akoma shumë larg standarteve të një turizmi konkurrues, aq sa është politika jonë larg standardeve Evropiane.

Thethi bujar dhe zemërngrohtë , pritës dhe i përcjelljes i qindra e mijra pushuesve, vuan së pari për një infrastrukturë rrugore, e cila me gjithë premtimet e bujshme nuk dihet se në çfarë dekade mund të asfaltohet, madje ka nevoja akute për mirëmbajtje, pasi megjithë ndërhyrjet e bëra nuk janë plotësuar kushtet optimale për udhëtim, i cili rezulton sfilitës për 4-5 orë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një zonë turistike. Problemi i dytë i pazgjidhur ende gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit është ai i energjisë elektrike, ku mjaft familje për arsye të mungesës së saj janë detyruar të vënë gjenerator, pa përjashtuar ndërprerjet e herëpashershme të sinjalit të telefonisë. Dëshira dhe etja për punë e banorëve vendas, investimet e standardeve bashkkohore në sferën e turizmit familjar janë penguar nga mospërfillja e shtetit për t’u krijuar këtyre investitorëve kushtet e domosdoshme për punë,që do të ndikon direkt në punësimin dhe rritjen e të ardhurave të qindra banorëve të kësaj zone me traditë.